Vaksinat - Arma jonë mbrojtëse ndaj Covid 19
Në ditët që Covid 19 pushtoi botën, jeta e gjithësecilit prej nesh ndryshoi në mënyrë rrënjësore. Bota u përball me një realitet të ri, të panjohur dhe të frikshëm. Ishte një luftë për mbijetesë, e cila na detyroi të ndryshonim mënyrën e jetesës dhe të ndërvepruarit me njëri tjetrin. U detyruam të kufizonim aktivitetet dhe liritë tona, vendosëm të shiheshim dhe të përqafoheshim në distancë. Maska ishte dhe është ende shoku ynë mbrojtës dhe për një periudhë vetizolimi ynë ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar ndaj coronavirusit. Ky realitet i ri i cili i përngjan një libri apo një seriali televiziv ka vënë gjithë botën në kërkim të mënyrave për ta luftuar këtë virus pushtues. Të gjithë i kemi sytë dhe veshët në pritje të përdorimit të vaksinave kundër covid 19.
Vaksinat që janë krijuar dhe autorizuar për përdorim në luftën kundër coronavirus janë: vaksina Pfizer e autorizuar në 12 dhjetor 2020 dhe versioni tjetër i Modernës në 18 dhjetor 2020. Këto dy vaksina kanë filluar të përdoren në Amerikë dhe kërkojnë dy doza për përdorim të cilat duhet të jenë disa javë larg njëra tjetrës. Doza e dytë e vaksinës Pfizer jepet tre javë mbas të parës, ndërsa doza e dytë e vaksinës Moderna jepet katër javë mbas të parës. Fatmirësisht këto dy vaksina kanë treguar një nivel të lartë efikasiteti mbi 95%. Nga Pfizer target grupi i popullatës i cili është i autorizuar ta përdori prek moshën mbi 16 vjeç e sipër, ndërsa Moderna është për moshën 18 vjeç e sipër.
Me interes është dhe pyetja që shtrohet: a japin vaksinat efekte anësore pas përdorimit?
Përgjigjia e kërkuesve dhe ekspertëve është që vaksinat tek persona të ndryshëm mund të shkaktojnë efekte anësore në organizëm të cilat mund të përfshijnë: ( enjtje ose skuqje pas përdorimit, temperaturë 37.8°C ose më të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të ndjerit i këputur etj)
Edhe për përdorimin e vaksinave popullata në gjithë globin është e ndarë në dy kategori, ata që besojnë tek vaksinat dhe ata që janë skeptikë ndaj vaksinave të krijuara. Përgjigjia në lidhje me vaksinimin do vij në një moment ku e gjithë popullata do vaksinohet, por ajo që mund të themi dhe që dimë është që vaksinat e krijuara nga njerëzimi janë bërë me qëllim shpëtimi dhe kanë shpëtuar jetë dhe kjo është pritshmëria jonë. Duke qënë që është e pamundur që vaksinat të shpërndahen në të njëjtën kohë dhe për të gjithë popullatën në të gjithë shtetet, kërkues të qëndrës për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve shprehen se vaksinimi të bëhet së pari në kategoritë e personelit shëndetsor, arsimor si mësuesit apo ata kategori personash që janë më vunerabël për tu prekur dhe duhet dhënë prioritet. Sot vaksinat janë një fazë nisje dhe fitim beteje, por duhet ende kohë që të mund të fitojmë luftën ndaj Covid 19, deri atëhere le të shpresojmë…