Tetori është muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit.
Tetori është muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit. Një nga prioritetet tona kryesore, si profesionistë të kujdesit shëndetësor, është edukimi i grave për shëndetin e gjirit. E thënë thjeshtë, edukimi është thelbësor dhe zbulimi i hershëm shpëton jetë.
MSc. në Farmaci Beki Kokona 12.10.2022 9:00:00 e paradites
Tetori është muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit. Një nga prioritetet tona kryesore, si profesionistë të kujdesit shëndetësor, është edukimi i grave për shëndetin e gjirit. E thënë thjeshtë, edukimi është thelbësor dhe zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Kanceri i gjirit e ka zanafillën në qelizat e gjirit, por nëse nuk zbulohet në kohë dhe nuk trajtohet mund të përhapet në indet përreth. Fatkeqësisht, kur ky proces fillon, qelizat e kancerit shkojnë në pjesë të tjera të trupit dhe fillojnë të dëmtojnë indet dhe organet e tjera. Ky proces quhet metastazë.
Në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në popullatën femërore dhe i dyti më i përhapur në të gjithë popullatën. Lajm i mirë është se kur kanceri i gjirit zbulohet në kohë dhe është i lokalizuar brenda një periudhe 5-vjeçare shkalla relative e mbijetesës është 99%. Zbulimi i hershëm përfshin kryerjen e vetë-ekzaminimit mujor të gjirit dhe caktimin e kontrolleve klinike dhe mamografisë çdo vit.
Shumë simptoma të kancerit të gjirit janë të padukshme, pa një ekzaminim profesional, por disa simptoma mund të zbulohen herët vetëm duke qenë të vetëdijshme për shëndetin e gjirit tuaj. Çdo muaj, disa ditë pas ciklit tuaj menstrual, sugjerohet të kontrolloni gjoksin dhe zonën e sqetullës me mollëzat e gishtave. Mos harroni të përdorni edhe një pasqyrë!
Çfarë duhet të keni parasysh?
• Rritje e ndjeshmërisë së thithkave, shfaqja e një gunge, një nyje, ose trashja e lëkurës në /afër zonës së gjoksit ose sqetullës;
• Një ndryshim në strukturën e lëkurës ose një zgjerim i poreve në lëkurën e gjirit;
• Një gungë në gji;
• Çdo ndryshim i pashpjegueshëm në madhësinë apo formën e gjirit;
• Gropëza në gji;
• Ënjtje e pashpjegueshme e gjirit;
• Tkurrje e pashpjegueshme e gjirit;
• Asimetria e gjinjve e ndodhur rishtazi;
• Kthim paksa nga brenda ose përmbysje të thithkave;
• Lëkura e gjirit, ose thithka ashpërsohet dhe bëhet me luspa, skuqet, ënjtet ose mund të ketë gunga ose gropa që i ngjajnë lëkurës së një portokalli;
• Çdo rrjedhje nga thithka, veçanërisht rrjedhje transparente ose gjakderdhje.
Kur shihni ndonjë nga ndryshimet e përmendura më sipër, duhet të konsultoheni sa më shpejt të jetë e mundur me një mjek. Edhe pse këto mund të jenë ndryshime normale të gjinjve, është më mirë të jeni të sigurt!
Kanceri i gjirit mund të diagnostikohet përmes testeve të shumta, siç janë mamografia, ultratingujt, rezonanca magnetike dhe biopsia. Edhe nëse nuk zbulohen ndryshime gjatë vetëkontrollit tuaj mujor, sugjerohet që gratë mbi 40 vjeç të bëjnë mamografi çdo 1 ose 2 vjet. Gratë që janë më të reja se 40 vjeç dhe kanë faktorë rreziku për kancerin e gjirit duhet të konsultohen me mjekun e tyre, për të parë nëse mamografitë janë të këshillueshme për ato dhe se sa shpesh duhet ta kryejnë. Nëse mamografia tregon një zonë anormale të gjirit, mjeku juaj do të sugjerojë teste shtesë që ofrojnë një fushëpamje më të qartë dhe më të detajuar të asaj zone. Nëse ekzaminimet tuaja nuk japin një rezultat përfundimtar, mjeku juaj mund të rekomandojë një rezonancë të gjirit, për të vlerësuar madhësinë dhe vendndodhjen e masës së dyshuar brenda gjirit. Rezonanca magnetike mund të identifikojë çdo gjetje tjetër anormale brenda gjirit.
Pasi një person diagnostikohet me tumor malinj (kancerit të gjirit), ekipi i kujdesit shëndetësor do të përcaktojë fazën, në të cilën është zbuluar kanceri i gjirit për të komunikuar se sa ka përparuar sëmundja. Në përgjithësi, ekzistojnë pesë opsione trajtimi dhe shumica e planeve të trajtimit përfshijnë një kombinim të tyre: kirurgji, rrezatim, terapi hormonale, kimioterapi dhe terapi të targetuara. Disa janë lokale, duke synuar vetëm zonën rreth tumorit. Të tjerat janë sistematike, duke synuar të gjithë trupin, duke përdorur agjentë kundër kancerit.
Për të përfunduar këtë artikull mbi kancerin e gjirit, duhet të dimë se shkalla e mbijetesës (MIR- raporti i vdekshmërisë ndaj incidencës), i cili llogaritet si raport midis numrit total të vdekjeve nga kanceri i gjirit dhe numrit të rasteve të reja për vit, gjatë viteve të fundit kanë qenë afërsisht 0.3. Kjo do të thotë se ka një numër të ulët të grave që vdesin nga kanceri i gjirit krahasuar me numrin e rasteve të reja të diagnostikuara për vitin në shqyrtim. Prandaj, ngadalë por me siguri propaganda për vetëkontroll dhe kontroll të gjirit po jep përfitimet e saj.