Shtatori: Muaji i ndërgjegjësimit ndaj llojeve të ndryshme të kancerit gjinekologjik

Të Vërteta dhe Mite

Shtatori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit gjinekologjik. Të gjitha llojet e kancerit gjinekologjik prekin organet riprodhuese të gruas dhe përfshijnë kancerin e qafës së mitrës, të vezoreve, të mitrës, endometrit, vaginës dhe të vulvës. Sipas Institutit Amerikan të Kancerit, në vitin 2023 më shumë se 106,000 gra në Shtetet e Bashkuara pritet të diagnostikohen me kancer gjinekologjik dhe më shumë se 32,000 pritet të ndërrojnë jetë prej tij. Këto janë shifra që nuk duhet të na trembin, por të na japin shtysë të informohemi dhe kujdesemi më shumë për shëndetin tonë. Në kuadër të kësaj fushate globale ndërgjegjësimi, është e rëndësishme të ndajmë të vërtetën nga mitet. Në këtë artikull, do t’i japim përgjigjje pyetjeve dhe bindjeve më të zakonshme rreth kancerit gjinekologjik, për të ndarë kështu të vërtetat nga mitet.

Miti 1: Llojet e kancerit gjinekologjik janë të rallë.

E vërteta: Kanceri gjinekologjik është më i zakonshëm se sa mund të mendoni! Çdo vit, mijëra gra në të gjithë Botën diagnostikohen me lloje të ndryshme të kancerit gjinekologjik. Zbulimi i hershëm dhe ndërgjegjësimi janë armë të rëndësishme, që kemi në dorë për diagnostikimin në kohë dhe për sigurimin e një prognoze të mirë.

Miti 2: Vetëm gratë në moshë preken nga kanceri gjinekologjik.

E vërteta: Megjithëse rreziku për shfaqjen e disa llojeve të kancerit gjinekologjik rritet me moshën, duhet të dijmë se gratë më të reja gjithashtu mund të preken nga kjo sëmundje. Për shembull, kanceri i qafës së mitrës mund të ndodhë edhe në gra më të reja, prej moshës 20 në 30 vjeç. Analizat e shpeshta dhe vaksinimi mund të ndihmojnë në parandalimin e këtyre lloje rë kancerit gjinekologjik.

Miti 3: Llojet e ndryshme të kancerit gjinekologjik nuk janë të parandalueshëm.

E vërteta: Shumë prej llojeve të ndryshëm të kancerit gjinekologjik janë të parandalueshëm. Shembulli konkret është sesi vaksina kundër HPV-së, mund të mbrojë kundër virusit të Papilomës, një prej shkaqeve kyçe të kancerit të qafës së mitrës dhe të llojeve të tjera të kancerit gjinekologjik. Kontrollet e shpeshta dhe të rregullta tek mjeku gjinekolog, në sinkron me Pap-test mund të zbulojnë kancerin në fazat e hershme të tij, kur trajtimi është më efikas.

Miti 4: Të gjitha llojet e kancerit gjinekologjik kanë të njëjtat simptoma.

E vërteta: Llojet e ndryshme të kancerit gjinekologjik kanë simptoma të ndryshme. Për shembull, kanceri në vezore mund të shkaktojë dhimbje dhe fryrje në bark, ndërsa kanceri i qafës së mitrës mund të manifestohet si gjakderdhje e pazakontë. Njohja e shenjave specifike për çdo lloj kanceri është thelbësore për diagnostikimin e hershëm.

Miti 5: Llojet e ndryshme të kancerit gjinekologjik nuk trashëgohen.

E vërteta: Disa lloje të kancerit gjinekologjik mund të trashëgohen. Kjo vjen si pasojë e faktorëve gjenetikë. Gratë me histori familjare të kancerit gjinekologjik duhet të diskutojnë rrezikun me mjekun e tyre dhe të marrin në konsideratë të kryejnë testet e predispozitës gjenetike ndaj kësaj sëmundje.

Miti 6: Kanceri gjinekologjik është dënim me vdekje.

E vërteta: Zbulimi i hershëm dhe përparimet në trajtimet mjekësore kanë përmirësuar ndjeshëm prognozën për pacientët me kancer gjinekologjik. Shifrat e mbijetesës janë më të larta, kur kanceri kapet në një fazë të hershme.

Miti 7: Ndërgjegjësimi për llojet e ndryshme të kancerit gjinekologjik nuk më përket mua!

E vërteta: Llojet e ndryshme të kancerit gjinekologjik prekin gra të të gjitha moshave dhe prejardhjeve. Duke rritur ndërgjegjësim dhe duke mbështetur hulumtimin shkencor, ne kontribuojmë në përmirësimin e shifrave të pacientëve të diagnostikuar dhe ndihmojmë në parandalimin e përhapjes së këtyre llojeve të kancerit.

Miti 8: Një grua duhet të bëjë një PAP-test çdo vit.

E vërteta: Nëse si PAP-testi juaj, ashtu dhe analiza e HPV janë të dyja negative, duke treguar mungesën e infeksionit, atëherë nuk është nevoja për një PAP-test të detyrueshëm çdo vit. Ka disa udhëzime në lidhje me kancerin e qafës së mitrës për grate, të cilat kanë kryer më pare si PAP-testin, ashtu dhe analiza e HPV dhe kanë dalë me rezultate normale:

Moshat 21-29 vjeç: PAP-testi duhet bërë çdo tre vjet;

Moshat 30-64 vjeç: PAP-testi dhe HPV-testi duhet të bëhen çdo pesë vjet;

Moshat 65 vjeç e lart: Konsultohuni me mjekun tuaj gjinekolog, se kur duhet t'i nënshtroheni ndonjë testi.

Miti 9: Nuk mund të mbetem shtatzënë tani që kam patur kancer të qafës së mitrës.

Fakt: E gabuar! Gjatë trajtimit të kancerit të qafës së mitrës, pacientët zakonisht i nënshtrohen histerektomisë, kimioterapisë dhe terapisë me rrezatim në zonën e legenit, gjë që mund ta bëjë mbetjen shtatzënë të vështirë, por jo të pamundur. Me opsionet e reja dhe të avancuara të trajtimit, mjekët tani mund të shmangin heqjen kirurgjikale të organeve riprodhuese dhe kështu të ruajnë fertilitetin e gruas, në mënyrë që ajo të mund të bëhet nënë. Këto teknologji të përmirësuara, i lejojnë mjekut të ngrijë vezët dhe të shmangë rrezatimin e vezoreve, nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale, për t'i shpëtuar ato nga çdo dëmtim.

Përfundim:

Muaji i Ndërgjegjësimit për llojet e ndryshme të kancerit gjinekologjik shërben si një rikujtesë për rëndësinë e kuptimit të këtyre sëmundjeve. Sqarimi i disa miteve dhe pranimi i të vërtetave është një hap me rëndësi thelbësore për zvogëlimin e ndikimit të llojjeve të ndryshme të kancerit gjinekologjik në jetën e grave. Duke qëndruar të informuar, i japim vetes siguri për një të ardhme të shëndetshme.

Artikuj të ngjashëm