Rutina ditore që na duhet pas pushimeve verore
MSc. në Farmaci Beki Kokona 19.9.2024 1:00:00 e pasditesKthimi në punë
Rrezet e diellit, kripa e detit dhe klori i pishinave, të kombinuara këto me një dietë, le të themi jo gjithmonë të balancuar janë receta perfekte për argëtim pa fund por edhe për dëme të vogla, të cilat do i ndreqim bashkë me këshilla të thjeshta dhe praktike, për ta nisur siç duhet sezonin e ri të punës dhe shkollës.
Produkte për të pastruar trupin dhe fytyrën, si të zgjedhim të duhurat?
Pas ekspozimit të gjatë në diell, mund të na kapë syri njolla kafe, rrudha të lehta, apo edhe puçrra të vogla në lëkurë. Nuk po flas vetëm për fytyrën, por edhe dekoltenë, shpinën, zonën e bikinit, mbase edhe kërcinjtë. E kështu, pa vënë re, kemi dëmtuar barrierën e lëkurës por nuk ka vend për panik! Mjafton të zgjedhim produktet e duhura për ta kthyer lëkurën siç ishte!
Është e rëndësishme të zgjedhim shampo trupi me formulë hidratuese dhe rigjeneruese, e cila do ishte mirë të përmbante Glicerinë, Niacinamide, Panthenol, Aloe Vera, apo edhe vajra natyralë, jo komedogjenik, siç mund të jetë Vaj Avokado, apo Vaj Jojoba. Të gjithë këta përbërës bëjnë që lëkura të hidratohet. Konkretisht për trupin do ju sugjeroja Locionin Larës Cetaphil (atë me tapë bojë qielli) apo formulime të ngjashme, veçanërisht nëse jeni djegur dhe po rripeni. Bën përshtypje në fillim, sepse ndryshe nga shampot komerciale që shkumojnë, këto lloj formulimesh nuk pastrojnë duke bërë shkumë por më besoni gjithsesi, lëkura juaj do jetë xixë!
Problematikat e një lëkure të dëmtuar nga dielli janë nga më të ndryshmet, ndaj ndonjëherë do duhet të nxjerrim artilerinë e rëndë. Në rast se vini re akne në shpinë, mund të zgjidhni shampo të formuluar me Acid Salicilik, e cila do ju ndihmojë t’i përthani këto puçrra.
Të njëjtin koncept do ndiqja dhe në sugjerimet që kam për fytyrën, por nga eksperienca ime si farmaciste hamendësoj që mbrojtja nga dielli në fytyrë ka qenë pak më e rregullt se sa në trup, ndaj për fytyrën mund të zgjedhim formulime mbase më komplekse, të cilat targetojnë problematika specifike. Ja për shembull një lëkurë akneike, me doemos ka nevojë që larësi i fytyrës të vijë në trajtë xheli, apo edhe shkumë, me përbërës si Zinc Complex, Acid Salicilik, apo edhe Acid Glikolik. Një produkt që doja t’ju sugjeroja është Xheli larës i La Roche Posay nga linja Effaclar.
Por mos mendojmë vetëm për këtë lloj problematike, sepse një kategori tjetër që e ka vuajtur verën janë personat me Rosacea, jo vetëm prej diellit, por edhe nga ushqimet picante, apo konsumi i alkoolit. Një nga larësit e rinj që gjendet në Ditë e Natë është ai i linjës Redness Control të Cetaphil, i cili ruan hidratimin e lëkurës dhe njëkohësisht trajton skuqjen e saj.
Rutina e mëngjesit dhe darkës për kujdesin e lëkurës.
Kur them që shampot dhe larësit duhet t’i zgjedhim hidratues, aty sa kemi nisur me procesin e ushqyerjes së lëkurës. Koha t’i japim lëkurës edhe një “sanduiç”. Nuk ishte batutë! Është një emërtim që na pëlqen ta përdorim ne “skincare lovers” për shtresat e produkteve që vendosim në fytyrë.
Shtresa e parë është hidratuesi, e dyta është serumi, dhe e fundit është shtresa tjetër e hidratuesit. Nëse jeni ekspertë, pra nëse ju keni eksperiencë në përdorimin e “aktivëve” të kujdesit ndaj lëkurës, siç është Retinoli, Acidi Glikolik, Vitamina C, etj. mund t’ia hiqni shtresën e poshtme të hidratuesit “sanduiçit”, por nëse i provoni për herë të parë, me doemos duhet ta nisni me hapa të vegjël, sepse në të kundërt do bëni më shumë dëm sesa mirë.
Rutina e darkës
Në darkë mund të alternojmë përdorimin e serumeve me Acid Glikolik dhe Retinol.
Sa i përket Retinolit mund të zgjedhim pse jo një version pak më ekonomik siç është Cerave. E rëndësishmja është të kuptojmë pse bota u çmend pas Retinoideve dhe pse ne farmacistëve na pëlqen kaq shumë ta sugjerojmë. Në fjalë të varfra përshpejton rigjenerimin e lëkurës, duke nxjerrë më shpejtë në sipërfaqe lëkurë të re, të shëndetshme dhe të tendosur. Ama vath në vesh! Në mëngjes duhet me patjetër të vendosim krem dielli, se ndryshe do i bëjmë njollat në fytyrë me keq nga seç i kishim. Po ja sa t’i vijë radha rutinës së mëngjesit!
Lidhur me AHA (Alpha Hydroxy Acid) sigurisht që i preferuari im është Acidi Glikolik, por njëkohësisht mendoj se nuk është për këdo! Pra nëse nuk keni provuar më parë një acid micropeeling, ju mund ta filloni nga një serum me Acid Mandelik dhe pasi të jeni ambientuar me këtë përbërës aktiv, pak më vonë mund të eksperimentoni me produktet me Acid Glikolik.
Rutinën e darkës e përfundojmë duke aplikuar krem hidratues.
Rutina e mëngjesit
Në mëngjes fytyrën mund ta lajmë edhe vetëm me ujë. Jo vetëm për t’i dhënë vetes 5 minuta më shumë gjumë, por për të lënë në lëkurë yndyrën e saj natyrale, kaq të rëndësishme për procesin e rigjenerimit. Për më tepër, nëse kemi një rutinë të mirë darke, punën e kemi të kryer, ama në rast se djersitemi shumë, patjetër duhet të përdorim larësin e fytyrës. Thjesht nuk është një domosdoshmëri!
Kur vjen koha për t’u hidratuar, në lëkurë të njomë vendosim kremin tonë hidratues, në mënyrë që të mund ta mbajmë “mbërthyer” ujin brenda qelizave të lëkurës. Është si t’i vendosim kapakun tenxheres, kur jemi duke gatuar, mos të avullojë.
Një hidratues shumë i mirë dite është Caudalie Vinohydra Krem Sorbet. Pas hidratuesit do ju sugjeroja të vendosni një krem me faktor mbrojtës nga dielli! Dhe jo, nuk ka justifikime, sepse gjithë njollat që po luftojmë nga dielli janë bërë. Motoja? Shumë e thjeshtë! Mbrojtje nga dielli në çdo stinë dhe përditë!
Nëse duam që rutina jonë e mëngjesit të jetë ekstra, pas hidratuesit, mund të aplikojmë një krem me Vitaminë C, e cila falë efekteve anti-oksiduese do na ndihmojë, jo vetëm të mbrojnë lëkurën nga agjentët e jashtëm, por edhe në rigjenerimin e saj.
Koha t’i japim flokëve pak dashuri
Kthehemi pak tek pushimet e verës. Kripa e detit, klori i pishinës, nxehtësia e diellit, topuzët e njomë vërtetë na bëjnë të ndihemi të relaksuar por njëkohësisht na i bëjnë flokët të brishtë dhe lehtësisht të këputshëm. Mirë është që tani që jemi kthyer nga pushimet, t’i presim majat e djegura dhe t’i rikthehemi rutinës së kujdesit të flokëve dhe të skalpit. Le të nisim!
Shampo të posaçme për rënien e flokëve dhe për flokët e dëmtuar nga plazhi
Një shampo rigjeneruese duhet të përmbajë përbërës që ndihmojnë në forcimin dhe rigjenerimin e fibrave të flokëve. Mjafton ta aplikojmë dhe ta masazhojmë me mollëzat e gishtave në skalp dhe gjatë gjithë gjatësisë së flokëve e më pas ta shpëlajmë me ujë të vakët. Kujdes! Të vakët, jo të përvëluar!
Kur vjen puna tek formulimet e shampove, të cilët trajtojnë flokët e dëmtuar nga plazhi, si dhe ndihmojnë në parandalimin e rënies së tyre kundër rënies së flokëve janë disa përbërës që duhet të kemi parasysh.
Keratina është një nga përbërësit më të rëndësishëm në formulimin e një shampoje të mirë flokësh, pasi ndihmon në rikthimin e strukturës së flokut, duke mbushur boshllëqet e krijuara nga dëmtimet dhe duke i dhënë flokëve më shumë forcë dhe elasticitet.
Vaji i arganit, një tjetër përbërës i fuqishëm, është i pasur me acide yndyrore dhe vitamina që ndihmojnë në hidratimin dhe ushqimin e flokëve, duke i bërë ata më të butë dhe të shkëlqyeshëm.
Ushqejmë flokët me Balsam, Maska dhe Serume
Flokët e dëmtuar nga sezoni veror kanë nevojë për pak ndihmë! Patjetër që shampoja e duhur na mundëson një bazë të pastër dhe të rigjeneruar por në këto kushte flokët duan kujdes ekstra. Duke ndjekur një rregull të thjeshtë, balsamin e flokëve e përdorim në çdo larje e duke thënë këtë le të mos i kalojmë 3 herë në jave larjen e flokëve, patjetër sipas nevojës.
Në shumëllojshmërinë e brandeve që mund të gjeni në Farmaci Ditë e Natë sigurohuni të zgjidhni atë që përmbush nevojat tuaja. Një opsion do ishte Balsami Klorane Réparation.
Sa i përket serumit mendoj tani që flokët janë më poroz dhe lehtësisht të këputshëm, përpos aplikimit që i bëjmë në flokë jo tërësisht të thatë, mund ta aplikojmë në maja edhe në ditët kur nuk duhet të lajmë flokët. Serumet janë të lehta dhe mund të përdoren më shpesh. Shërbejnë për të zbutur flokët, për të zvogëluar elektricitetin statik dhe për të shtuar shkëlqim.
Mund të provojmë të aplikojmë në majat e flokëve Phytokeratine Extreme. Është një produkt i cili në përditshmëri ndihmon flokun të ruajë strukturë elastike dhe plot elegancë.
E fundit, por këto “ditë të vështira” për flokët tuaj, jo më pak e rëndësishmja, maskën e flokëve e aplikojmë një herë në javë. Është një hap ekstra por me flokët që na bien pak më shumë dhe me ashpërsinë që kanë marrë nga kjo verë e nxehtë, një herë në javë mund t’i japim pak më shumë kujdes. Një formulë shumë interesante me bazë bimore është maska hidratuese e Apivita me Acid Hialuronik dhe Aloe Vera.
Tashmë jemi gati t’i bëjmë ballë çdo sfide, plot vetbesim, me pamjen tonë të re!
MSc. në Farmaci Beki Kokona