Përqafojmë ndryshimet gjatë menopauzës!

Çfarë është menopauza?

Menopauza shënon një ndryshim të rëndësishëm në jetën e një gruaje, por pa dyshim kjo nuk duhet të na trembi për të qenë vetja, në gjithë vërtetësinë, fuqinë dhe bukurinë tonë. Është e vërtetë, që nga një pikëpamje mjekësore, menopauza tregon përfundimin e viteve riprodhuese të një gruaje, por duhet të them se ky është fillimi i përvojave të reja, të cilat duhet t’i jetojmë me përkujdes dhe mençuri, kurdoqoftë të jetë momenti të përjetojmë këtë ndryshim.

Krahas këtij procesi ndryshimesh natyrale të organizmit të gruas, vijnë një sërë simptomash që mund të ndikojnë në shëndetin fizik, në mirëqënien emocionale dhe në cilësinë e përgjithshme të jetës. Megjithatë, me strategjitë dhe mbështetjen e duhur, gratë mund t’i menaxhojnë efektivisht këto simptoma dhe ta përqafojnë këtë kapitull të ri të jetës me vetëbesim dhe vitalitet.

Menopauza zakonisht ndodh te gratë mes moshës 45 dhe 55 vjeç. Në shëndetësi ne e konsiderojmë si ndalimin e periodave, në mënyrë të pandërprerë, për një periudhë prej 12 muajsh, duke shënuar kështu përfundimin e viteve riprodhuese. Gjatë menopauzës, gratë përjetojnë çrregullime hormonale, ku hasin në një zbritje të niveleve të estrogenit, që mund të shkaktojnë një gamë të gjerë ndryshimesh fizike, emocionale dhe më e rëndësishmja shëndetësore, të cilat ndryshojnë nga njëra grua, tek tjetra.

Simptomat e menopauzës

Mendoj se fillimisht duhet të kuptojmë se çfarë po na ndodh në organizëm, pra të shohim fillimisht se cilat janë këto simptoma, në mënyrë që t’i trajtojmë ato. Vetëm duke kuptuar shkakun mund të marrim zgjidhje të thjeshta, por efektive, për të kaluar këtë fazë të jetës pa mundim.

1. Afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës: Ndjenja e papritur e nxehtësisë, shpesh shoqëruar me djersitje dhe skuqje, mund të pengojë gjumin dhe aktivitetet e përditshme.

2. Çrregullime të humorit dhe irritabilitetit: Ndryshimet hormonale mund të ndikojnë në çrregullime të humorit, irritabilitet, ankth e madje edhe në depresion.

3. Çrregullime të gjumit: Shumë gra hasin vështirësi në të fjetur. Ato mezi i zë gjumi, por edhe zgjohen shpesh gjatë natës. Kjo situatë çon në lodhje dhe plogështi gjatë ditës.

4. Tharje dhe diskomfort vaginal: Rënia e niveleve të estrogenit mund të shkaktojë hollim dhe tharje të indit vaginal, duke çuar në shqetësime gjatë raporteve seksuale, por gjithashtu sjell edhe një rritje të rrezikut të infeksioneve urinare.

5. Ndryshime në dëshirë seksuale: Disa gra mund të përjetojnë një rënie të dëshirës seksuale, për shkak të ndryshimeve hormonale.

6. Ndryshime kognitive: Vështirësitë në të kujtuar dhe në ruajtjen e përqendrimit janë ankesa të zakonshme të zonjave gjatë menopauzës.

Ndikimi afatgjatë i menopauzës në shëndetin e gruas

Menopauza mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e gruas e këtu flasim për probleme kronike si shëndeti i zemrës, kockave, si dhe rritja e rrezikut për sëmundje kronike. Zanafilla e gjithë problematikave shëndetësore që vijnë nga menopauza është ulja e niveleve të estrogjenit.

Në këto kushte gratë kanë një rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, pasi ky hormon ka një rol mbrojtës në sistemin kardiovaskular.

Një tjetër problem shëndetësor tipik për gratë në menopauzë është humbja e densitetit kockor, i cili bëhet një shqetësim i madh, duke çuar edhe deri në osteoporozë dhe rrezik për thyerjen e kockave, Arsyeja është sepse me rënien e niveleve të estrogjenit nuk kemi sistemin rregullues, i cili ndihmon në mbrojtjen e masës kockore.

Pra menopauza lidhet me një rritje të rrezikut për sëmundje kronike me natyrë metabolike. Dy nga sëmundjet me problematike me të cilat përballen gratë në menopauzë janë diabeti dhe hipertensioni arterial, që përpos ndikimit që ka në cilësinë e jetës së gruas, këto sëmundje gjithashtu mbartin rrezikshmëri jo të ulët.

Për ta përmbledhur, me tone më optimiste dua t’ju them se duke ndjekur një regjim të shëndetshëm ushqimor dhe përgjithësisht një stil jete aktive kemi mundësi të shmangim këto probleme!

Menaxhimi i simptomave të menopauzës

Tani le t’i përvishemi punës. Çfarë sugjerojmë ne si farmacistë që ju të menaxhoni të gjitha këto simptoma.

Së pari, le të mos panikojmë. Probabiliteti që do i ndjeni të gjithë këto simptoma është i ulët. Ne thjesht dëshirojmë t’ju bëjmë me dije, lidhur me këto simptoma për t’ju ofruar një zgjidhje. Me këtë në mendje, këtu janë disa këshilla për të menaxhuar simptomat e menopauzës.

1. Ndiqni një stil jetese të shëndetshëm. Ushqehuni duke ndjekur një dietë të balancuar dhe kryeni rregullisht aktivitet fizik, që të mund të mbani një peshë trupore të shëndetshme. Gjithashtu ju sugjerojmë të shmangni konsumin e duhanit. Të gjitha këto këshilla mund t’ju ndihmojë në lehtësimin e simptomave të menopauzës dhe në promovimin e mirëqenies së përgjithshme.

2. Ekzistojnë trajtime farmaceutike, si dhe suplemente ushqimore dhe produkte për mirëqënien intime, që për shumë gra mund të lehtësojnë efektivisht afshet, tharjen vaginale dhe simptoma të tjera. Ja për shembull Menopace e Vitabiotics është një formulim i posaçëm për periudhën e menopauzës, i cili vjen dhe në variantin Plus Calcium, për support maksimal ndaj kockave. Në Farmaci Ditë e Natë gjeni suplemente edhe nga brandë të tjera si Doppel Herz, Phyto Garda, etj. Lidhur me tharjen vaginale mund të filloni aplikimin e një produkti hidratues e lubrifikues siç është për shembull kremi Marvinia, apo xheli Daygin

3. Disa gra gjejnë lehtësim nga simptomat e menopauzës përmes terapive alternative si agopuntura, joga dhe meditimi. Kjo qasje vërtetë nuk është për të gjithë, por mund të vlejë të eksplorohet si mundësi, patjetër nën udhëzimet e një profesionisti të kualifikuar në këtë fushë.

4. Praktikimi i disa teknikave me efekt relaksues, siç është frymëmarrja e thellë dhe relaksimi progresiv i muskujve mund të ndihmojë në zvogëlimin e niveleve të stresit dhe në lehtësimin e simptomave të menopauzës, siç janë afshet dhe ndryshimet e humorit.

5. Krijimi i një mjedisi të favorshëm për të fjetur gjumë dhe zbatimi i një orari të rregullt, përmirësojnë cilësinë e gjumit dhe zvogëlojnë ndikimin që menopauza ka në gjumë.

Le të pranojmë, të gjithëve na duhet ta marrim parasysh këtë sugjerim për një jetë më të shëndetshme. Në rast nevoje ne mund ta ndihmojmë përkohësisht këtë proces me suplemente me Melatoninë, ku në Ditë e Natë mund të gjeni formulime të ndryshme nga Sanavita, Esi, Now, etj.

6. Ndarja e përvojave dhe kërkesa për mbështetje nga miqtë dhe anëtarët e familjes, mund t’ju ndihmojë të përballeni me sfidat e menopauzës, me efektet fizike dhe emocionale që e shoqërojnë atë. Mos e mbani këtë për vete atë çka po jetoni, sepse në të vërtetë ju nuk jeni vetëm!

Menopauza është një fazë natyrale dhe e pashmangshme e jetës që sjell një gamë ndryshimesh fizike dhe emocionale. Ndërsa simptomat mund të jenë sfiduese, ato janë të menaxhueshme me strategjitë dhe mbështetjen e duhur. Duke ndjekur një stil jetese të shëndetshëm, duke eksploruar mundësitë e trajtimit të simptomave, duke menaxhuar stresin, duke e bërë gjumin prioritet dhe duke kërkuar mbështetje nga profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit e dashur, gratë mund të menaxhojnë efektivisht simptomat e menopauzës dhe kështu mund të përqafojnë këtë kapitull të ri me elegancë dhe qëndrueshmëri.

MSc. në Farmaci Beki Kokona 

Artikuj të ngjashëm