Maji, muaji i ndërgjegjësimit ndaj Melanomës
Melanoma është forma më serioze e kancerit të lëkurës. Zhvillohet kryesisht në melanocite, por edhe në qeliza të tjera. Ekspozimi ndaj rrezeve ultra vjollcë (UV) të diellit, apo të solarëve janë faktorë risku të zhvillimit të melanomës. Risku rritet në persona nën moshën 40 vjeç dhe veçanërisht tek femrat. Njohja e shenjave paralajmëruese të kancerit të lëkurës mund të na ndihmojnë të vëmë re ndryshimet në lëkurë, të cilat mund të jenë me tendencë kancerogjene dhe që mund të trajtohen para se kanceri të përhapet. Melanoma mund të kurohet me sukses, nëse zbulohet herët, por bëhet kërcënuese për jetën nëse neglizhohet. Kjo është arsyeja pse muaji Maj i kushtohet ndërgjegjësimit dhe promovimit të metodave të trajtimit dhe diagnostikimit për kancerin e lëkurës.
Melanoma nuk diagnostikohet, sepse pacienti neglizhon kontrollet rutinë tek mjeku dermatolog, por edhe prej përshtypjes jo të mirë të krijuar rreth procesit të heqjes së nishaneve. Është e rëndësishtme që gjatë vizitës mjeku dermoatolog të kontrollojë gjithë trupin e pacientit, sepse melanoma mund të zhvillohet kudo.
Parandalimi i kancerit të lëkurës fillon nga një qasje gjithëpërfshirëse që kemi për shkaqet dhe mënyrat e mbërrjtjes. Është e rëndësishme të ndërgjegjësohemi që rrezatimi UV depërton jo vetëm retë, por edhe xhamin. Ato reflektohen nga dëbora, uji dhe rëra. Dëmtimi i lëkurës, prej rrezeve të diellit akumulohet me kalimin e viteve.
Praktikisht mënyra se si mund të mbrohemi, prej rrezatimeve UV është:
- Të qëndrojmë në hije, veçanërisht nga ora 10 e paradites, deri në orën 4 të pasdites;
- Të shmangim djegiet nga dielli;
- Të shmangim frekuentimin e solarëve;
- Të mbulohemi nëpërmjet veshmbathjes, duke përfshirë kapelet me strehë të gjerë dhe syzet e diellit;
- Të përdorim përditë një krem dielli me spektër të gjerë të faktorëve SPF prej 15, ose më tepër. Gjatë aktiviteteve të gjata në natyrë, është me rëndësi të përdorim një krem dielli me spektër të gjerë, me SPF mbi 30, i cili të jetë rezistent ndaj ujit;
- Të ndërgjegjësohemi për aplikimin e saktë të kremit të diellit. Duhet të përdorim një sasi të përafërt me 2 lugë çaji të kremit të diellit në gjithë trupin, përpara se të dalim jashtë. Kremi duhet të riaplikohet çdo 2 orë, apo pasi jemi larë në det, apo jemi djersitur. Të mos harrojmë përdorimin e zbutësve të buzëve me faktorë mbrojtës;
- Të vetëekzaminojmë nishanet në trupin tonë çdo muaj;
- Të konsultohemi të paktën një herë në vit me një dermatolog për të ekzaminuar nishanet.