Çfarë të bëj nëse jam djegur nga dielli?
Çelësi për të patur një lëkurë të shëndetshme është mbrojtja nga rrezet e diellit. Ndonjëherë, për shumë arsye nuk jemi vigjilent në riaplikimin e kremit të diellit, apo e harrojmë fare dhe na digjet lëkura. Sipas këshillave të mjekëve dermatologë të Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, në çastin, kur ndjejmë se lëkura jonë po digjet nga dielli duhet të zhvendosemi në një ambient të mbyllur, në të cilin hyn sa më pak dielli. Këshillohet që të bëni menjëherë dush me ujë të freskët për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjeve. Sapo të dilni nga vaska ose dushi, të thaheni butësisht me peshqir, duke tamponuar lëkurën. Tharja të jetë e pjesshme dhe lëkura është mirë të mbetet e njomë. Etapa e fundit që këshillohet është që menjëherë pasi jeni tharë, në lëkurën ende të njomë të vendosni një krem hidratues për të ndihmuar në përthithjen e ujit të mbetur në lëkurë brenda saj. Këshillohet të zgjidhni një krem hidratues, i cili mund të ketë në përmbajtje Aloe Vera, e cila ndihmon me qetësimin e lëkurës së djegur. Nëse lëkura e djegur sjell shqetësim sugjerohet të përdoret Aspirinë, ose Ibuprofen, me qëllim uljen e enjtjes, skuqjes dhe lehtësimin e dhimbjes. Këshillohet të pini sa më shumë ujë të jetë e mundur. Lëkura e djegur tërheq brenda vetes ujin, që gjendet në organizëm, gjë që mund të sjelli dehidratim. Nëse vëreni flluska të formuara në lëkurë, duhet të jeni shumë vigjilent, sepse ato janë tregues që djegia është e shkallës së dytë. Duhet me çdo kusht të përpiqeni të mos i çani, sepse organizmi i formon ato, me qëllim mbrojtjen e lëkurës nga infektimi. Gjatë kohës që lëkura shërohet shmangni ekspozimin në diell. Nëse kjo është e pamundur sugjerohet që të vishni rroba, që nuk lejojnë depërtimin e diellit.